Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, ka treguar se Barcelona kishte trokitur në derë në afatin kalimtar veror, por nuk ishte një zgjedhje e tij para një oferte nga klubi mbretëror.
Rudiger thotë se shumë klube kanë kontaktuar me të në verë pasi kontrata së tij me Chelsean i erdhi fundi, duke përfshirë edhe rivalët kryesorë të Madridit. Gjermani këmbëngul se ai kurrë nuk mendoi një kalim në Camp Nou, megjithatë, në Santiago Bernabeu gjithmonë ishte zgjedhja e tij e parë për shkak të yjeve që kishte tanimë skuadra e Carlo Ancelottit.
"Natyrisht që kishte më shumë skuadra, por unë konsiderova vetëm dy, Chelsean dhe Real Madridin," shpjegoi Rudiger për gazetën spanjolle AS. “Ata [Barca] trokitën në derën time, ata e bënë këtë. Por për mua kjo nuk ishte një mundësi.
“Siç ju thashë më parë, Madridi për mua nuk ishte as një ëndërr sepse dukej si diçka e paarritshme. Nëse shikoni emrat që kanë luajtur këtu: [Zinedine] Zidane, Ronaldo [Nazario], Cristiano [Ronaldo] dhe kam mundësinë të luaj me [Luka] Modric, [Toni] Kroos ose [Karim] Benzema... Ishte e vështirë të thuash jo".
Ndonëse jo gjithmonë një titullar i garantuar siç ishte te Chelsea, Rudiger është shfaqur në shumë prej ndeshjeve të Real Madridit që aktualisht është në garë të mbrojë titullin e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve. Ndërsa futbolli i klubeve ndalon për Kupën e Botës, Mbretërit aktualisht janë në vendin e dytë në La Liga, dy pikë larg Barcelonës në vendin e parë.

0 Comments