
Sulmuesi Vedat Muriqi thotë se nuk do ta refuzonte Real Madridin, por shpreson ta mbyll karrierën te Mallorca.
Në një intervistë të gjatë për “Sports Show” në “KlanKosova”, Muriqi ka folur për formën e lartë që po e kalon te Mallorca.
Ai thotë se është i lumtur për golat e shënuara ndaj Real Madridit dhe Atleticos, e shpreson ta mbaj këtë ritëm edhe më shumë.
"Jam shumë i lumtur. Po shpresoj që po vazhdoj me formën e mirë, e fituam Atleticon, unë personalisht arrita t'i shënoj Real Madridit gjithashtu. Ka qenë ëndrra e ime që të ballafaqohem me Real Madridin, fatkeqësisht humbëm por ja që është kualiteti larg. Po shpresoj që të vazhdoj kështu, fatkeqësisht po ndërprehet për shkak të Kupës së Botës, por do mundohem ta mbaj ritmin që të vazhdoj kështu edhe deri në fund".
Sulmuesi ka komentuar edhe kalimin e dështuar te Club Brugge, që beson që edhe i ka ndihmuar edhe Mallorcas që ta transferojë.
"Motivimi im ka qenë 200 për qind pas atij rasti me Club Brugge. Nuk isha rasti i vetëm te Brugge, që isha trajtuar njëjtë si unë. Nuk e di çfarë po ndodh atje, por falë atyre jam këtu. Jam shumë i lumtur, edhe në jetë kur më japin vetëbesim, edhe unë jap diçka. Drejtori më thirri se na të njohim dhe e dimë se nuk ke kurrfarë problemi, kjo ishte vetëbesim pastaj që vazhdoi me trajnerin, tifozët dhe tani ja ku jam këtu".
"Në fakt prej janar deri në qershor qëndruam mirë dhe arritëm me qëndruar në La Liga, kishte edhe opsionin prej blerje që ishte shtrenjtë dhe e dinim se nuk mund ta paguanin atë vlerë. Pastaj rasti me Brugge i ndihmoi Mallorcas, pasi erdha këtu u ndjeva si në shtëpi, por nuk isha i gatshëm fizikisht. Në tre apo katër stërvitje çalova, prisja një start të mirë, por jo aq mirë".
"Në radhë të parë krenohem me vetën sepse të lë mbrapa këta yje pavarësisht që Benzema ka qenë i lënduar është si një ëndërr që nuk dua të zgjohem, thashë nëse është mos më zgjoni. Sa i përket golave, kurrë nuk i kam caktuar vetës gola, kur hy në fushë mundohem të ndihmoj shokët e mi. Normalisht jam sulmues, por jashtë golit që bëj lojë të mirë".
Muriqi tutje foli për tifozët të cilët tani po i thonë kosovar, gjë që po i pëlqen shumë.
"Nëse 1 për qind e kam ndryshuar mendjen e njerëzve për Kosovën, atëherë jam krenar. Pak a shumë po mundohem ta tregoj përmes futbollit, edhe pse zyrtarisht thonë që nuk na njohin, por ne ekzistojmë. Ka shumë dallim kur erdha në fillim më thoshin shqiptar me pasaportë turke, tani thonë kosovar. Me arrit me e treguar dallimin është sukses për mua. Jam krenar dhe shpresoj që Spanja të na njoh".
Në fund, Muriqi bëri të ditur se nuk mund ta refuzojë Real Madridin nëse e paguan klauzolën, por shpreson ta mbyll karrierën te Mallorca.
"Në radhë të parë futbolli po ndryshon shpejtë. Këtu jemi shumë të lumtur, e njëjta ishte më herët. Isha i lumtur te Fenerbahce, shkova në Lazio ndryshoi situata. Siç thashë kam kontratë derisa mund ta bindim klubin, nuk e kam ndërmend me u larguar. Kam klauzolë që mund të largohem, mund ta paguaj siç thoni ju Real Madrid. Veç me qenë i çmendur me e refuzuar Real Madridin. Por, jam i lumtur te Mallorca dhe dua ta mbyll këtu karrierën".
0 Comments